Ambasadori i Hungarisë viziton Qendrën Multikulturore KRAH
VoRAE mirëpriti në Qendra Multikulturore KRAH Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, njëkohësisht anëtar i Grupit të Miqve të Përfshirjes Sociale.
Kjo vizitë dëshmon interesimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare për punën, angazhimin dhe misionin tonë në promovimin e përfshirjes sociale dhe dialogut ndërkulturor.
KRAH është qendra e vetme multikulturore në Kosovë e dedikuar komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian – një hapësirë ku historia, kultura dhe kontributi i këtyre komuniteteve prezantohen, ruhen dhe respektohen.
Gjatë vizitës u prezantua ekspozita, koncepti kuratorial dhe roli edukativ i Qendrës në fuqizimin e vetëdijes publike, veçanërisht tek të rinjtë, si dhe në promovimin e dialogut ndërkulturor, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
Po ashtu, u diskutua rëndësia e përfshirjes kulturore dhe edukimit si mjete kyçe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, si dhe mundësitë për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejmë.
Interesimi i vazhdueshëm i ambasadave për të vizituar KRAH konfirmon rëndësinë që ka kjo hapësirë si urë lidhëse mes komuniteteve dhe institucioneve ndërkombëtare.
VoRAE shpreh mirënjohje për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm dhe mbetet e përkushtuar në avancimin e barazisë, përfshirjes dhe dialogut në Kosovë.
KRAH – aty ku historia njihet, kujtesa ruhet dhe diversiteti vlerësohet.