Platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian
Qeveria e Republikës së Kosovës duke dashur që të vë në jetë sa më shpejtë zotimet e paraqitura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, angazhohet që të përdorë masa afirmative për ta luftuar dhe parandaluar diskriminimin ndaj të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare.
Në kuadër të këtij misioni është krijuar edhe kjo Platformë, që ka për qëllim parandalimin, zvogëlimin dhe luftimin e rasteve të diskriminimit të qytetarëve, sidomos atyre të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, në Kosovë.
Përmes kësaj Platforme iu ofrohet qasje e barabartë të gjithë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të raportojnë rastet e diskriminimit në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë kudo që ato mund të ndodhin.
Platforma, po ashtu ofron informata në lidhje me legjislacionin dhe mekanizmat institucional për mbrojtje nga diskriminimi, ku mbështetet misioni dhe vizioni ynë për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë fizike apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes politike, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale, racës, pronës, lindjes ose statuseve tjera.
Platforma është një dritare kyçe dhe shumë me rëndësi për qytetarët romë, ashkali dhe egjiptian për të paraqitur rastet e tyre të diskriminimit, pavarësisht kur dhe në çfarë hapësire ndodhë kjo.
Gjithashtu, Platforma është një mjet i forcimit të bashkëpunimit në mes institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve për ta parandaluar dhe luftuar diskriminimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Platforma do të shërbejë jo vetëm si një vend ku mund të bëhet raportimi, por edhe ku mund të informoheni me të rejat më të fundit mbi rastet e diskriminimit, puna që është bërë rreth parandalimit dhe procedimit të këtyre rasteve, legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, mbrojtjen nga diskriminimi dhe raportet vjetore. Më tej, kjo platformë online do të shërbejë edhe për mbledhjen e statistikave.
Platforma virtuale përbëhet nga uebfaqja, baza e të dhënave dhe aplikacioni në internet. Platforma virtuale për viktimat e diskriminimit të këtyre komuniteteve do të përditësohet rregullisht me materialet e politikave dhe praktikave, duke përfshirë legjislacionin rajonal dhe kombëtar, procedurat operative dhe udhëzimet.
Përdoruesit e kësaj platforme mund të raportojnë rastet e tyre, por edhe rastet kur ata kanë qenë të pranishëm dhe nuk kanë qenë të lidhur personalisht me ta. Ne do të ruajmë anonimitetin tuaj kur raportoni rastin - nëse kjo është dëshira juaj! Të gjitha rastet e raportuara do të shqyrtohen nga stafi profesional dhe do t'u referohen institucioneve përkatëse.
api/storage/uploads/2023/02/24/63f884022177afletpalosja-ALB.pdf
Platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian