Incidenti i fundit në Ferizaj: Një thirrje për veprim kundër krimit të urrejtjes

Incidenti i fundit në Ferizaj: Një thirrje për veprim kundër krimit të urrejtjes

Incidenti i fundit në Ferizaj, ku dy vajza të mitura dhe dy burra nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian u sulmuan barbarisht me thikë, ka tronditur shoqërinë tonë. Ky akt dhune nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Për më tepër, natyra e tij e vërtetë nuk duhet të relativizohet. Sipas raporteve të para, agresori sulmoi kalimtarët te rastit, por të gjithë viktimat i përkasin këtyre komuniteteve minoritare. Një model i tillë sugjeron diçka më të thellë dhe shumë më shqetësuese: një motivim etnik i nxitur nga urrejtja.

Autoritetet ta kualifikojnë saktë këtë akt. Çdo jetë ka vlerë, dhe qëllimi pas këtij krimi duhet të zbardhet dhe ndëshkohet përkatësisht. Kryetari i Komunës së Ferizajt konfirmoi se agresori u arrestua pas sulmeve, por eshte thelbersore që motivet e tij të hetohen në detaje, duke marrë parasysh çështjen e qartë që kemi përballë – kur viktimat “e rastësishme” i përkasin një grupi të vetëm etnik, duhet të pyesim pse.

Një nga viktimat ishte vetëm 10 vjeç, një fëmijë i pafajshëm në rrugën e kthimit për në shtëpi nga një dyqan lokal. Megjithëse dhe fatmirësisht, jeta e saj nuk është në rrezik të menjëhershëm, gjendja e saj mbetet delikate. Ajo është një viktimë e pafajshme që tani vuan për shkak të urrejtjes së sëmurë dhe të shtrembëruar të dikujt. Kjo ngre pyetje të vështira: a u sulmua ajo për shkak të përkatësisë së saj etnike? A ishin këto sulme të paramenduara, të kalkuluara në mënyrë që të zgjidheshin anëtarët më të pambrojtur të komuniteteve tona?

Ky nuk është krimi i parë i urrejtjes në shoqërinë tonë, që synon komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Për një vend kaq të vogël, jemi të mbushur me shumë incidente të motivuara nga paragjykimi etnik dhe intoleranca e thellë. Historia ka treguar se Romët dhe komunitetet e tjera janë mbajtur të margjinalizuar, të mbajtur poshtë në kushte degraduese për të ruajtur sistemet e shfrytëzimit social. Eshtë e pabesueshme qe kjo vazhdon të shfaqet edhe sot – kur komunitetet përdoren si shpërthyes të mllefit dhe urrejtjes. Ne një shoqëri demokratike, moderne si Kosova, jo çdo qytetar ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i respektuar.

Ky akt brutal është një thirrje zgjimi. Ai ngre pyetje urgjente mbi sigurinë, bashkëjetesën dhe dinjitetin e të gjithë anëtarëve të këtij shteti multietnik. Autoritetet tona duhet të reagojnë me urgjencë për të adresuar rrënjët e kësaj dhune. Kjo nuk është një ngjarje e izoluar; është një simptomë e një sëmundjeje të thellë shoqërore. Sa më gjatë të tolerojmë këtë urrejtje, aq më thellë rrëshqasim në një vend të errët ku paragjykimi lulezon dhe dhuna bëhet normale.

Mjaft më!